Tiranë, goditet grupi i trafikut të armëve; sekuestrohet mega arsenali

Strukturat e Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe Drejtorisë së Policisë së Shtetit kanë sekuestruar gjatë një operacioni të koduar “Moglica” një arsenal armësh të rënda dhe municionesh, si dhe kanë arrestuar në flagrancë 2 persona që dyshohet të ishin poseduesit e tij.

Burime policore zyrtare bëjnë të ditur se, shtetasit e arrestuar janë Adil Ismet Mersinllari, 42 vjeç, lindur e banues në Korçë dhe Bledar Bardhyl Muçollari, vjeç 32, nga i njëjti qytet.

Aksioni i Policisë së Tiranës, konkretisht i sektorit kundër narkotikëve dhe trafiqeve, është kryer në bashkëpunim të ngushtë me prokurorinë dhe në përfundim të një hetimi disamujor është arritur të dokumentohet, përmes teknikave speciale, veprimtaria kriminale e shtetasve Mersinllari dhe Muçollari, duke sekuestruar në cilësinë e provës materiale armë të rënda, lëndë plasëse dhe municione luftarake.

Sipas policisë, gjatë këtij operacioni është ushtruar kontroll në 24 banesa të dyshuarish dhe janë shoqëruar në drejtoritë respektive Tiranë dhe Korçë mbi 16 persona.

Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për persona të tjerë të dyshuar që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Gjithashtu, së bashku me Prokurorinë e Tiranës po hetohet mënyra e gjetjes dhe destinacioni final i kësaj sasie armatimi të sekuestruar.

Provat materiale të sekuestruara gjatë operacionit janë:

57 copë kallëpe tritoli të masës 400 gramë secila;
103 copë granata sulmuese “defensive”, me rreze shpërthyese 200m;
100 copë ndezës granatash;
1 granatë-hedhës;
23 predha granatëhedhësi të prodhimit kinez;
20 kuti në formë tubi të dyshuara si eksplozivë me fuqi shumë të fortë;
2 kaseta metalike dhe 1 kuti metalike për mbajtje fishekësh model 56, të kalibrit 7.62 mm;
1640 copë fishekë;
1 shtrat trekëmbësh për mitraloz të rëndë;
216 copë krehëra mbajtës fishekësh model 56, kalibër 7.62 mm, të vajisur dhe me të gjitha pjesët dhe aksesorët e tyre;
3 murtaja me trekëmbësha dhe pjatat kupore;
2 mitralozë të rëndë së bashku me trekëmbëshat mbajtës;
20 pjesë mitralozazh të rëndë të çmontuar;
1 shirit metalik me 250 copë fishekë mitralozi të rëndë model 53;
1 automjet tip “Opel” i llojit “Omega” me targë “KO 6690 B”;
4 aparate celularë të markave të ndryshme.

Burime policore bëjnë të ditur se, materialet procedurale në ngarkim të të arrestuarve i janë dërguar Prokurorisë së Tiranës për veprën penale “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe i municioneve“, si dhe “trafikim të armëve dhe municioneve”.

/ Top Channel