Gjenden objekte dhe statuja të mbytura 1600 vjet më parë

Arkeologët në Izrael kanë gjetur disa statuja bronzi dhe mijëra monedha nga një anije tregtare e cila mendohet se është mbytur në brigjet e Mesdheut rreth 1600 vjet më parë, gjatë periudhës së vonë romake.

Autoriteti izraelit i objekteve antike tha se zbulimet e reja janë bërë falë dy zhytësve të cilët po zhvillonin një ekspeditë nënujore në portin Cezarea në Mesdheun lindor.

Në anijen e mbytur nga stuhitë, ata arritën të gjenin disa mini statuja prej bronzi, ku ishin gdhendur imazhi i Perëndisë së Diellit Sol, një tjetër me Perëndeshën Luna, si edhe mijëra monedha.

“Statujat e metalit konsiderohen gjetje të rralla arkeologjike sepse në atë kohe, objektet e metalit gjithmonë shkriheshin apo ricikloheshin”, u shpreh Jacob Sharvit nga autoriteti izraelit i objekteve antike.

Për arkeologët, gama e objekteve të zbuluara pasqyron periudhën e stabilitetit ekonomik dhe tregtar që kishte epoka e Perandorisë Romake. Vitin e shkuar një tjetër ekip zhytësish arritën të gjenin monedha ari që datonin 1000 vite më parë. /Top Channel/