“Nëse ki fobi prej lartësisë”… Ledri në festën e Feronikelit për Tovërlanin

Feronikeli të shtunën do të ngrejë në qiell trofeun e titullit dhe festa pritet të jetë madhështore. Klubi prej kohësh ka filluar t’i bëjë përgatitjet për këtë dhe gjithçka pritet të dalë sipas parashikimeve. Në festën e “Niklit” pritet të ketë edhe këngëtarë të njohur të estradës.

Dëshirë e klubit nga Drenasi, veçmas e trajnerit Afrim Tovërlani ka qenë që për publikun në “Rexhep Rexhepi” të këndojë edhe Ledri Vula, por kjo nuk do të jetë e mundur për shkak të angazhimeve të këngëtarit.

“Kemi kërkuar nga Ledri që të jetë pjesës e festës sonë, por ai ishte i zënë të shtunën”, ka deklaruar Tovërlani për Gazetën Sheshi. Ka qenë pikërisht trajneri më i trofeshëm në vend që më 18 prill në një status të publikuar në llogarinë e tij në “Facebook” kishte shkruar “pe ngoj: nese ki fobi prej naltsis, mos rri me neve….. e mir koka….”, kishte shkruar “Toki”.

Ky status i tij nuk dihet se kujt i ishte dedikuar, por i menjëhershëm kishte qenë reagimi i trajnerit të Hajvalisë, Ismet Munishi, që po ashtu kishte shkruar në “Facebook”, madje shumë ashpër.

Mbase, dëshira e Tovërlanit për ta pasur Ledrin në festën e skuadrës së tij ka qenë pikërisht fakti që dëshiron ta dëgjojë “live” edhe njëherë këngën “SRMN” në rreshtat e së cilës këngëtari dëgjohet duke thënë “nëse ki fobi prej lartësisë, mos rri me neve”. Gjithsesi, kjo këngë pritet të lëshohet “play-back” për dëshirën e Tovërlanit dhe kryesisë që tashmë po iu pëlqen kjo këngë.

/Gazeta Sheshi/