”Troftat” në rrezik, por shikoni “mrekullinë” e tyre

Pas Vushtrrisë që tashmë edhe matematikisht është anëtar i Ligës së Parë, edhe Istogu rrezikon që të bie nga Superliga.

Kjo skuadër ndodhet në pozitën e parafundit në renditje me 31 pikë, tri më pak se Drenica që është në zonën e barazhit.

Pavarësisht rëndësisë së ndeshjeve për këtë skuadër, Istogu ka befasuar duke mos pranuar asnjë karton të kuq në 30 xhirot e zhvilluara, shkruan Gazeta Sheshi.

“Troftat” janë ekipi i vetëm që nuk e kanë përjetuar ngjyrën e kuqe. Kur kësaj i shtohet fakti që skuadrat të cilat ndodhen në pjesën e poshtme të renditjes rëndom janë më agresive për shkak të mos realizimit të objektivave, atëherë Istogu vlerësohet të ketë bërë mrekullinë.

Natyrisht, kjo skuadër duhet të jetë shembull për ekipet tjera të Superligës.

Ndryshe, Istogu nesër është mysafir i Prishtinës në ndeshjen që vendos të ardhmen e këtij ekipi këtë edicion.