10 gjërat që duhet t’i dini për kampionin e Kosovës

Feronikeli edhe matematikisht është kampion i Kosovës në futboll edhe tri xhiro pa përfunduar edicioni 2015/16 i Raiffeisen Superligës.

Ekipi i trajnerit Afrim Tovërlani ishte dukshëm më i mirë se rivalët tjerë dhe me meritë doli kampion.

Gazeta Sheshi ka përgatitur dhjetë gjëra që duhet t’i dini për skuadrën kampione.

Feronikeli do të jetë skuadra e parë kosovare që pritet ta përfaqësojë vendin në Ligën e Kampionëve. Ani pse do të jetë në rrethin parakaulifikues, ekipit nga Drenasi i është ofruar rasti për të shkruar historinë.

Feronikeli është barazuar me Prishtinën si klub që i fiton dy tituj radhazi në Superligë që nga periudha e pasluftës. Vetëm Besa ka bilanc më të mirë, pasi kishte fituar titullin tri herë radhazi.

Feronikeli drejtohet nga Afrim Tovërlani, i cili është trajneri me më së shumti tituj të fituar në futbollin kosovar. “Toki” ka katër tituj kampioni, tre prej tyre me Prishtinën.

Feronikeli është klubi i vetëm që ka lokalin e vet të furnizuar vetëm me rekuizita të klubit, duke përfshirë këtu ndërresa, tuta sportive, shalle, maica, duksa e shumëçka tjetër.

Të gjithë ata adhurues të klubit mund të shërbehen në lokalin e klubit të quajtur “Fan Shop” e që është i vetmi në Kosovë.

Feronikeli përbëhet prej futbollistëve shumë cilësorë. Mirëpo, aty është edhe një rekordmen. Fjala është Mentor Zhdrellën, mesfushori që e kishte “uzurpuar” trofeun e “Topit të Artë”, duke u shpallur katër herë lojtari më i mirë në vend.

Feronikeli nuk e ka humbur asnjë ndeshje në shtëpi këtë edicion. Nga 15 duele të luajtura në “Rexhep Rexhepi” ka triumfuan 12 herë, kurse në tri raste tjera ka luajtur baras.

Feronikeli është skuadra me më së shumti pikë të fituara në udhëtim pas xhiros 30 të Raiffeisen Superligës. Ekipi i trajnerit Afrim Tovërlani ka arkëtuar 23 në pikë në 15 ndeshje në terrenet mysafire.

Feronikeli është klubi i parë kosovar që ka filluar të mendojë më seriozisht edhe për gjyqtarët. Para çdo ndeshje, “Nikli” në teshatoret e referëve ka servuar ujë, pije frutash, çokollatë dhe banane. Kështu nuk kishte vepruar askush më parë.

Feronikeli ka ditur të bëjë edhe mrekullira. Në edicionin 2013/14 mezi i shpëtoi rënies ng Superliga, duke mposhtur në barazh Gjilanin pas penalltive. Ndërkohë, në kampionatin vijues, fitoi titullin, Kupën e automatikisht edhe Superkupën.

Feronikeli edicionin e kaluar e fitoi titullin pa e zhvilluar as edhe një ndeshje në terrenin e vet në Drenas. Për shkak të renovimeve që bëheshin në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, ekipi ndeshjet si vendas i zhvillonte në Skenderaj e Prizren.

/Gazeta Sheshi/