Milani braktis Ligën e Europës?

Që Milani nuk ka qenë ndonjëherë i interesuar për një kompeticion si Europa League, kjo dihet, por askush nuk e mendonte që pas disa vitesh të vuajtura, klubi kuqezi të mos begeniste një kompeticion që po bëhet gjithnjë e më interesant, më i pasur dhe që çon në Champions League fituesin.

Në garë për vendin e gjashtë në Serinë A, Milani ka mundësinë të shkojë në turin play­off në Europa League, nëse nuk fiton kupën, por duket se drejtuesit kuqezinj e kanë ndarë mendjen: ose fitojnë kupën dhe shkojnë në grupe, ose nuk shkojnë fare në Europa League. Shembulli më i qartë i kësaj strategjie është rënia në rezultate në javët e fundit, lëshimi i vendit të gjashtë dhe mbi të gjitha një detaj që është evidentuar nga tifozët e Milanit: më 27 korrik, kur nisin ndeshjet e turit paraeliminator, Milani ka planifikuar një miqësore me Bajernin e Mynihut. I pritshëm reagimi mjaft i ashpër i tifozëve, që e kanë humbur me kohë durimin, por me sa duket te Milani askush nuk i llogarit tifozët.