Karadzic: Mos votoni për pranimin e Kosovës

Presidenti i Federatës Serbe të Futbollit, Tomislav Karadzic, i ka ftuar anëtarët e Federatave nacionale që po marrin pjesë ne Kongresin e UEFA-s, që të mos e votojnë pranimin e Kosovës në këtë institucion.

“Pranimi i FFK-së në UEFA do të krijonte shumë probleme, sepse futbolli është e kundërta e politikës. Kam menduar se nuk do të flas asnjëherë për këtë temë dhe kam menduar se politika të mbetet larg futbollit. Dhe mendoj se politika nuk do të përzihet në futboll”, theksoi numri 1 i futbollit serb.

“Meqenëse është në pyetje jeta futbollistike e një shteti të vetëshpallur, mendoj se futbollit do t’i lëkunden themelet, mendoj se do të preket sovraniteti i vendit tim dhe mendojmë se futbolli duhet të mbrohet dhe të jetë jashtë politikës. Njerëzit që janë këtu mendoj se nuk do të votojnë pro”, vazhdoi ai.

“Nuk jemi kundër të zhvillohet futbolli dhe të mos ketë dallime, por jemi kundër një lidhje futbollistike që nuk i plotëson kushtet që të jetë pjesë e UEFA-s. Futbolli nuk është t’i caktojë kufijtë e shteteve”, nënvizoi ai.

“Kosova nuk është pjesë e OKB-së, as në UNESCO nuk e kanë pranuar. Nuk është në rregull, neni i UEFA-s thotë se një vend duhet të jetë pjesë e OKB-së për t’u bërë pjesë e saj”, përfundoi Karadzic.