Serbia tenton ta prishë festën e FFK-së

Presidenti i Federatës së Futbollit të Serbisë, Tomislav Karaxhiç, ka premtuar që institucioni që ai e drejton do të luftojë deri në fund për mos-pranimin e Kosovës me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA.

“Që nga viti 2012, Federata e Futbollit të Serbisë me të gjitha mjetet juridike ka luftuar fuqishëm kundër përpjekjeve të shtetit të vetëshpallur të Kosovës, që të bëhet anëtare e UEFA-s. Ne do ta kundërshtojmë ashpër pranimin e Kosovës edhe në Budapest”, deklaroi Karaxhiç, përcjellë Olle.

Një deklaratë kjo që e bën akoma më emocionuese datën e 3 majit, pasi që në Federatën e Futbollit të Kosovës janë të bindur për pranimin e plotë, madje kanë planifikuar festë madhështore.