Pesë arsyet e krizës së Gjilanit

Nga: Drilon Sylejmani

Gjilani ishte rikthyer në elitën e futbollit kosovar me plot ambicje dhe fitorja në duelin e parë përballë rivalit lokal Drita e bëri edhe më të embël rikthimin në mesin e më të mirëve.

Forma e mirë nga java në javë e “Skifterave” bëri që skuadra e drejtuar nga Sadat Pajaziti të jetë njëri ndër pretendentët kryesorë për titull. Dy humbje të njëpasnjëshme trajnerit Sadat Pajaziti i kushtuan me pozitë, me ç’rast pas duelit ndaj Lirisë në Prizren u zëvendësua nga Bylbyl Sokoli.

Ardhja e “Profës” zgjoi interesim të madh në qytetin e Gjilanit, sidomos tek ata dashamirë që ishin tretur larg stadiumit të futbollit, të rikthyer tashmë me shpresën dhe me bindjen që do të shohin një skuadër kompetitive dhe cilësore në luftën për titullin kampion.

Ardhjet e shumta në merkaton e janarit e forcuan edhe më shumë këtë bindje, e cila shpejtë do venitej për një apo shumë arsye.

Edhe “Profa” iku, por bashkë me të nuk shkuan edhe humbjet, të cilat u varguan njëpasnjë dhe larguan Gjilanin nga lufta për titull.

Gazeta Sheshi, ju sjell pesë arsyet e krizës së Gjilanit në pranverë:

1. Krahu i djathtë i mbrojtjes

11949496_866663540047513_4760489643556923011_n
Nuk ka dyshim se krahu i djathtë i mbrojtjes ka qenë njëri ndër problemet kryesore të skuadrës së Gjilanit këtë pranverë. Largimi i Besnik Krasniqit drejt kampionatit shqiptar i ka “fikur” gjilanasit që nuk kanë arritur dot të gjenin një zëvendësues të denjë për ndoshta lojtarin më të mirë në vend për këtë pozicion.

Përkundër disa ardhjeve të reja në repartin e mbrojtjes, Sokoli asnjëherë nuk arriti të gjente njeriun adekuat që do mbulonte këtë hapësirë. Nga ndeshja në ndeshje, stafi gjilanas eksperimentoi me disa lojtarë – Arbër Shalën, Richard Sackeyn, Ergon Hysenin dhe Yll Maliqin, mirëpo asnjëri nuk bindi se është adekuat për këtë vijë të mbrojtjes.

2. Lëndimi i Qëndrim Dautaj

12799007_10208435226982212_8655666379687340575_n

Erdhi me shumë bujë në skuadrën e Gjilanit. I prezantuar si njëri ndër mesfushorët më të mirë në vend, Dautaj do sillte entuziazmin në paraqitjet e tij të para, pasi me lojën e treguar dëshmoi se potencialisht është njëri ndër lojtarët më të mirë në vend. Mirëpo, të vetëdishëm për rrezikun e lëndimit, gjilanasit tashmë kishin luajtur me “zjarrin” dhe vetëm pas disa javësh u dogjën, sepse Dautaj nuk u riaftësua më asnjëherë për lojë, duke lënë boshllëk të madh në repartin e mesfushës.

3. Reparti i sulmit

74984_957155000998366_4631801369173543117_n
Skuadra e Gjilanit ishte njëri ndër ekipet me më së shumti gola të realizuar gjatë pjesës vjeshtore të kampionatit, gjithsej me 17 gola të realizuar. Ndërkohë, rënie shumë e madhe në efikasitet ndodhi në 10 duelet e para të stinorit pranveror, me ç’rast gjilanasit realizuan vetëm pesë gola, që në përqindje i bie 0,5 gola për ndeshje. Për një skuadër që synon titullin kampion është shumë pak.

4. Viktimë e gjyqtarëve

1935614_957475614299638_5251974959841250961_n Me apo pa dashjen e tyre, këmishzinjtë u bënë vërtet të “ZI” për skuadrën e Gjilanit, me ç’rast e dëmtuan atë në disa duele radhazi (u vërtetuan me pamjet filmike). Një pikë tejet me rëndësi dhe ndoshta njëri ndër faktorët kyç për humbjen e moralit dhe besimit tek kuq e bardhët që assesi të gjenin formulën e paqes me “bilbilat” që deri sa në pranverë kishin skuqur 10 herë futbollistët e tyre, në vjeshtë kishin akorduar penalti dhe kontra penalti ndaj Gjilanit.

5. Optimizmi i tepruar

11350862_871516576228876_2720931010176524375_n
Çështë e vërteta kryesia e klubit gjilanas ia bëri hyzmetin këtij kampionati. Që nga Liga e Parë, drejtuesit e bardh e kuqëve nuk reshtën së investuari dhe me të drejtë kërkojnë shpagimin e tyre me ndonjë titull. Por, realisht a kishte Gjilani ekip për titull? Kjo është pyetja që tundon shikuesit e tij, që tani vënë në pikëpyetje disa nga ardhjet e reja dhe strategjinë për angazhimin e “Profës” që nuk solli tek ta pritshmëritë dhe tani, si gjithnjë, duhet të pajtohen me “Mesin e Artë” të tabelës”.

Duke u nisur nga këta faktorë, trajneri i ri i skuadrës, Arbnor Morina, duhet të ketë kujdes në këto elemente, të cilat mund të jenë vendimtarë për fatin dhe të ardhmen e Gjilanit në këtë sezon.

/Gazeta Sheshi/