Lajmi për tërheqjen, Cana do të luajë edhe pas Europianit

Prej dy ditësh, media të ndryshme franceze kanë qarkulluar një lajm në lidhje me tërheqjen e Lorik Canës nga futbolli.

Ka qenë një lajm i publikuar nga “Presse Ocean” që ka qarkulluar në disa portale, të cilat kanë bërë me dije se mbrojtësi i Nantës do të “varë këpucët në gozhdë” në përfundim të këtij sezoni, sigurisht pas Europianit. Sipas këtij lajmi që ka qarkulluar, dëmtimet e shumta këtë sezon kanë bërë kapitenin e Kombëtares shqiptare që të mendojë largimin përfundimtar nga fushat e blerta.

Mohimi

Gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar disa burime pranë futbollistit të Kombëtares për të mësuar të vërtetën rreth këtij lajmi dhe përgjigjja ka qenë negative. Burimet që kanë preferuar të ruajnë anonimatin, por që janë pranë futbollistit kuqezi kanë mohuar të ketë një vendim të tillë të Lorikut për të ardhmen e tij.

Në përgjigjen e tyre, lajmi për tërheqjen është mohuar me faktin se ai është shpërndarë nga disa portale të vogla dhe se nuk vlen që të merret për bazë, pasi nuk ka asgjë të vërtetë.

Pak kohë më parë, kapiteni i Shqipërisë pranoi për “Panorama Sport” se pas Europianit ai do të largohet nga Kombëtarja, por ende pa e vendosur me saktësi se kur do të jetë ndeshja e fundit si kuqezi. E ardhmja – Të njëjtat burime, si për të përforcuar idenë e tyre se Cana nuk ka vendosur ende për të ardhmen, kanë bërë me dije për gazetën se kapiteni i Kombëtares do të vijojë karrierën e tij në Emiratet e Bashkuara ose në SHBA. Këto janë dy pistat e mundshme në të cilat kapiteni i Shqipërisë do të kërkojë që të sigurojë një kontratë për të ardhmen.