Mustafa: Denonconi korrupsionin, do të merren masa të menjëhershme

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka inkurajuar qytetarët që të denoncojnë veprimet korruptive duke siguruar se do të ndërmerren masa të menjëhershme.

Gjatë ditës, kryeministri Mustafa ka shkruar një tekst në Facebook, ku ka renditur disa nga të arriturat e Qeverisë në vitin 2015, në fushën e qeverisjes së mirë dhe fuqizimit të ligjit.

Me këtë rast, një qytetar nga Prizreni, ka komentuar duke thënë se ATK-ja në Prizren po merr haraç dhe se inspektorët po jetojnë me superluks, duke pyetur kryeministrin se a e ka ndërmend të ndalë këtë fenomen dhe që të luftohet kjo dukuri shumë negative.

Në këtë pyetje, kryeministri ka thënë se askujt nuk do t’i lejohet të marr haraç, qoftë nga qytetarët apo bizneset.

Kryeministri, po ashtu, ka inkurajuar qytetarët, bizneset dhe çdokënd që ka informata që t’i denoncojë veprimet e tilla, duke i siguruar se menjëherë do të ndërmerren masa.

“z. Eshref, Askujt nuk do t’i lejohet të merr haraç, qoftë nga qytetarët apo bizneset. Vetëm shteti ka të drejtë të vejë ngarkesa tatimore, dhe atë sipas ligjit. Qytetarët, bizneset dhe çdokush qe ka informata duhet t’i denoncojë veprimet e tilla dhe ju siguroj se menjëherë do të ndërmerren masa”, ka shkruar kryeministri Mustafa.