Fëmijët e lindur nga nëna mbi të 40-at janë më të zgjuar

Fëmijët e lindur nga nëna më në moshë kanë tendencë të jenë më të shëndetshëm, më shtatlartë dhe më të arsimuar se vëllezërit e motrat që kanë lindur para tyre.

Studimi i fundit, i kryer nga Mikko Myrskyla nga “Max Planck Institute for Demographic Research”, në bashkëpunim me Kieron Barclay nga “London School of Economics”, ka rrëzuar hulumtimet e mëparshme, ku në shumicën e tyre thuhej se fëmijët që ishin lindur nga nëna në moshë të madhe ishin më të prekur nga sëmundjet.

Studiuesit morën në shqyrtim të dhënat e 1,5 milionë burrave dhe grave suedeze të lindur në mes të viteve 1960 dhe 1991, për të shqyrtuar marrëdhëniet në mes të moshës së nënës në kohën e lindjes dhe lartësisë, fizikut dhe nivelit arsimor të fëmijëve.

Ata zbuluan se fëmijët e lindur nga nëna pas të 40-ave, kishin rezultate të mira në shkollë, ishin më të shëndetshëm dhe më shtatlartë.

“Duke bërë krahasimin me vëllezërit e motrat që u lindën nga nëna të njëjta, ne identifikuam rëndësinë e moshës së nënave në lindjen e fëmijëve”, tha Barclay.