Kjo është arsyeja e formës së dobët të Barcelonës

Vetëm në dy ndeshje dhe atë nga pak minuta janë zëvendësuar treshja e sulmit blaugrana Messi, Suarez dhe Neymar këtë sezonë, pa e llogaritur lëndimin e argjentinasit në duel me Las Palmas që u detyrua ta braktisë fushën para kohe, transmeton Gazeta Sheshi.

Kjo besohet të jetë arsyeja e formës jo të mirë që po kalon skuadra e Barcelonës gjatë javëve të fundit. Pasi gjatë 130 ndeshjeve sa kanë luajtur së bashku si titullarë MSN janë zëvendësuar për vetëm gjashtë minuta.

Luis Enrique e di mjaft mirë këtë fakt, mirëpo është i “kryqëzuar” para tre futbollistëve të cilët nuk e dëshirojnë asnjëherë zëvendësimin. Madje lënia në stol e Messit dhe Neymarit gjatë sezonit të shkuar në Anoeta përballë Real Sociedad, ka mundur ti kushtojë me pozitë trajnerit asturian.

Tashmë kanë mbetur vetëm edhe gjashtë javë deri në fundin e La Ligas, në të cilën blaugranasit po marshojnë drejt mbrojtjes së titullit dhe rotacionet janë më se të nevojshme, pasi që në tri duelet e fundit në kampionatin spanjoll nuk dinë për fitore dhe diferenca ndërmjet ndjekësve më të afërt është shkurtuar dukshëm.

Por, a do të rrezikojë Enrique prishjen e mardhënieve me tre futbollistët kryesorë në skuadër gjatë javëve të fundit për të fituar tituj e mbetur?! Kjo mbetet të shihet, mirëpo një gjë është e sigurt, rotacionet e munguara tek skuadra blaugrana kanë ndikuar që ata tashmë të jenë jashtë garës për Ligën e Kampionëve.

/Gazeta Sheshi/