Çfarë ndodh nëse nuk e vini mobilin tuaj në “flight mode” gjatë fluturimit?

Të gjithë e kemi parë opsionin “flight mode” në mobil, por jo të gjithë e kemi përdorur. Gjithsesi, nëse do të fluturoni për jashtë, do iu kërkohet ta përdorni këtë opsion. Por, çfarë ndodh nëse nuk e bëni këtë gjë?

Thuhet se sinjalet e telefonit mund të ndërhyjnë tek sistemet elektrike ose të telekomunikacionit tek avioni, por a mund të shkaktojnë ato rrëzim të avionit?

Daily Mail raporton se çfarë thonë ekspertët e fluturimit për rastet kur një pasagjer ose anëtarët e ekuipazhit nuk i fikin telefonat gjatë fluturimit.

Sipas ekspertëve, nuk ndodh asgjë nëse lini ndezur telefonin inteligjent, vetëm se sinjalet e tij ndërhyjnë tek kufjet e pilotëve duke shkaktuar zhurma. Këto zhurma janë të njëjta me ato që ndodhin kur një mikrofon është afër telefonit dhe pengojnë pilotët gjatë komunikimit me radio.

Zhurma do të shqetësojë pilotin, i cili është personi i fundit që duhet shqetësuar gjatë fluturimit, prandaj është mirë që ta vendosni telefonin në “flight mode” ose ta fikni fare. Pilotët kanë zbuluar se në rreth 50 fluturime që ata kanë bërë, mund të ketë ndodhur një ose dy herë që telefonat të kenë interferuar tek kufjet e tyre, raporton Daily Mail.

Tani që e morët vesh se përse duhet ta vendosni telefonin në “flight mode” duhet t’i përmbaheni rregullit për të shmangur çdo lloj incidenti.