Ranieri rrëfen sekretin e suksesit të Leicester

ifozët e Leicesterit e cilësojnë “Padrinjo”, të kuptohemi, në kuptimin pozitiv të kësaj fjale, ndërsa kryebashkiaku i qytetit i premton një rrugë me emrin e tij në rast se skuadra fiton kampionatin. Claudio Ranieri është kthyer në njeriun më të dashur të një komuniteti që jeton me futbollin, por jo vetëm kaq, ai është bërë një idhull për të gjithë njerëzit që e dashurojnë magjinë e futbollit. E mori skuadrën me objektivin për të siguruar mbijetesën në Premier League ku milionat e sheikëve dhe gjigandëve ishullorë eklipsojnë punën e përditshme të ekipeve me buxhet modest por tashmë është shumë pranë finishit për një nga arritjet më të pabesueshme në historinë e futbollit. Trajneri italian që për hir të së vërtetës nuk numëron suksese të mëdha në karrierën e tij, rrëfen momentet e para të nisjes së projektit në qytetin e Anglisë qëndrore.

“E kujtoj momentin kur takova presidentin në verë dhe më tha se sa e rëndësishme ishte për këtë skuadër qëndrimi në Premier League. Unë e sigurova se do të punonim fortë për të arritur këtë objektiv. Siguruam 40 pikët e nevojshme dhe më pas të gjithë nisëm të jetonim një ëndërr. Nuk do ta kisha besuar asnjëherë se në fillim të prillit, Leicester do të kryesonte klasifikimin me 69 pikë sepse në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, skuadra renditej e fundit. E pabesueshme!”.

Në vijim, 64-vjeçari rrëfen disa momente nga jeta e tij private, ndërsa komenton edhe bujën që ka bërë Leicesteri përtej kufijve të Anglisë.

“Kohën e lirë e kaloj me bashkëshorten, me shëtitje nga liqeni ose duke parë televizor. Gjithsesi, e pranoj që kohët e fundit kam nisur të përfshihem më shumë në ambjent pasi kohët e fundit kam dëgjuar madje që kemi mbështetës edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shpesh herë u them me humor tifozëve se ndoshta tani i kanë fiksuar emrat e lojtarëve të cilët konsideroheshin shumë të vegjël ose shumë të ngathët për klubet e mëdha. Kur zhvillova stërvitjen e parë pashë cilësitë që kishin N’Golo Kante. Jamie Vardy, Wes Morgan, Danny Drinkwater, Riyad Mahrez dhe e kuptova se ata ishin njerëzit e duhur për të siguruar mbijetesën. Kante vraponte aq shumë sa mendova se kishte bateri rezervë në pantallonat e tij. E ndalova dhe i thashë: Duhet të qetësohesh pak, mos vrapo pas topit gjithmonë, por sigurisht që ai nuk veproi kështu”.

Ranieri u përqëndrua në fund te zbulimi i sezonit, Jamie Vardy por edhe mbështetja që i kanë dhënë tifozët gjatë këtij sezoni.

“Vardy nuk është një lojtar, ai është një kal fantastik. Ai kërkon të jetë i lirë në fushë por unë i kërkova që të na ndihmonte edhe kur humbasim topin. Në fillim të sezonit u kërkova lojtarëve të luanin për shokët e tyre të skuadrës pa u trembur nga emrat e kundërshtarëve sepse nëse të tjerët ishin më të mirë se ne, këtë duhej të na i tregonin në fushën e lojës. Në Leicester ka një atomsferë fantastike, që nga presidenti dhe deri tek tifozët. King Power Stadium na jep një energji të madhe”.