Pathyeshmëria e Lirisë vendase, ja sekreti

Gjashtë fitore rresht në shtëpi për Lirinë dhe asnjë gol i pranuar këtë stinor në stadiumin “Përparim Thaçi”. Prizrenasit janë shndërruar në “ferr” të vërtetë në ndeshjet si vendas.

Së fundmi në Prizren u deklasua edhe Hajvalia, e cila u përshëndet me tri gola. Rezultatet e mira të Lirisë në shtëpi kanë krijuar përshtypjen se ekipi i trajnerit Erdogan Celina është i pathyeshëm edhe për këtë ekziston një sekret, të cilin e zbulon futbollisti, Robert Gjeraj.

“Mendoj se krejt esenca është te fusha. Ne ende vazhdojmë ta kemi të vështirë të ambientohemi në të dhe kur e mendoj këtë, atëherë ekipet tjera e kanë edhe më problem. Brenda tri jave vetëm njëherë na bie t’i mbathim këpucët e lojës”, deklaroi Gjeraj për Gazetën Sheshi.

Liria është skuadra e vetme elitare që ka terrenin me bari artificial.

“Sikurse ne që po e kemi të vështirë të luajmë në terrenet tjera, ashtu po e kanë vështirë skuadrat në Prizren. Për këtë arsye nuk po kemi shumë sukses në udhëtim. Pos kësaj, edhe futbollistëve po iu mungon mentaliteti fitues kur po ndeshemi jashtë Prizreni, njësoj sikurse është krijuar vetëbesimi se nuk mund të na mposhtë askush në Prizren”, përfundoi Gjeraj.

Ndeshja e fundit kur Liria ka pësuar gol në Prizren është ajo me Besën nga stinori vjeshtor.