Dikur e godiste Luis Enriken në fushë, Zidane: Tani e mund nga stoli

Zinedine Zidane do debutojë në “El Clasico” në rolin e trajnerit. Dikur përleshej fizikisht me Luis Enriken në fushën e lojës, por tashmë synon ta mposhtë me “djemtë e tij”.

Francezi beson te triumfi në “Kamp Nou”, ndërsa thekson se dëshiron ta shijojë sa më shumë atmosferën që dhuron një supersfidë e tillë…

Pse do mungojë Varane?

Problemi është se nuk mund ta themi me saktësi për momentin. Futbollisti luajti ndeshjen e kaluar me shqetësime fizike. Nuk e dinim se çfarë problemi kishte. Bëri një eko, por ende nuk ka marrë një diagnozë të detajuar. Nuk është në gjendje që të luajë dhe nuk kemi arsye pse ta rrezikojmë.

Ka probleme Toni Kros?

Mori një goditje në stërvitje, por ishte momentale. Do jetë në dispozicion dhe gati për të dhënë 100%.

Si e keni përgatitur “El Clasico”-n tuaj të parë si trajner?

Ne hyjmë në fushë për të fituar çdo ndeshje. E kemi përgatitur sfidën e radhës përgjatë gjithë javës, edhe pse shumica e futbollistëve kanë qenë të grumbulluar me ekipet Kombëtare. Kemi shumë personalitet si ekip dhe vijmë në një moment mjaft të mirë, në të gjitha aspektet.

A është kjo ndeshje një provë për Realin?

Jo, pasi nuk e vendos dot gjithçka vetëm një ndeshje. Sigurisht që ka rëndësi të veçantë, për vetë kundërshtarin dhe situatën në renditje. Por, ne nuk kemi pse të provojmë forcën në vetëm 90 minuta.

Doni të merrni hak për humbjen 0-4 të fazës së parë?

Nuk dua të flas për të. E dimë se çfarë ndodhi, por tani mendoj vetëm për të shijuar të tashmen. Jemi të përqendruar te dueli i radhës, të cilin duhet ta fitojmë dhe do e fitojmë.

Mund të bëni rrotacion para ndeshjes së Champions-it?

Nuk kam arsye, sepse përballja kundër Barcelonës është gjithashtu shumë e rëndësishme. Lojtarët që do zbresin në fushë do jenë ata që unë mendoj se mund ta ndihmojnë më tepër për të triumfuar. Keni shumë kujtime në “El Clasico”.

Ju vjen shpesh ajo që ndodhi me Luis Enriquen?

Kujt i referoheni? (Qesh) Tashmë është diçka e harruar. Ndeshjet “El Clasico” janë shumë emocionuese për një futbollist. Tani dua ta përjetoj si trajner. Është hera e parë dhe jam i lumtur.

A mund të shpëtohet ky sezon vetëm duke fituar Champions-in?

Ju e dini si është Reali. Duhet patjetër të fitosh trofe. E njoh këtë klub, sepse kam qenë vetë lojtar. E di edhe rëndësinë e detyrës që kam marrë përsipër. Ne duam të triumfojmë në Europë, kjo është e qartë. Të shikojmë se si do jetë ecuria në këtë kompeticion…

E dini që tredhëmbëshi Bale-Ronaldo-Benzema i ka humbur tri duelet e fundit ndaj Barcelonës?

Nesër (sot) është dita e duhur për ta ndryshuar këtë gjë.

Kanë kaluar plot dhjetë vite nga “El Clasico” juaj i fundit…

Do fle i qetë, sepse bëhet fjalë për një ndeshje futbolli. Duhet të shfrytëzojmë momentin, mundësinë që të jep një përballje e tillë dhe ta shijojmë në maksimum. Do jem për herë të parë si trajner dhe dua ta shijoj. Thjesht kaq.

Ua keni treguar lojtarëve videon e humbjes 0-4?

Unë kam parë mjaft video dhe i kam analizuar, por nuk kam folur me futbollistët e mi për humbjen e kaluar.

Si fitohet kundër Barcelonës?

E kam një ide se si duhet të luajmë, por duhet parë se si do shkojë ndeshja. Është një prej atyre sfidave që nuk kanë shumë rëndësi parashikimet në letër. Do japim maksimumin tonë për të triumfuar. Kjo është e vetmja gjë e sigurt.

Është kjo një ndeshje vendimtare për titullin?

Sinqerisht, është gjëja e fundit që mendoj…