Policia i përgjigjet Haradinajt: Ishim te shtëpia e kryeministrit, e fikëm zjarrin nga molotovi

Policia e Kosovës i është përgjigjur deklaratave të deputetit Daut Haradinaj, që përmes profilit të tij në Facebook kishte pyetur pse policia e Kosovës u tërhoq nga shtëpia e kryeministrit kur aty u hodh koktej molotovi nga protestuesit, në ditën kur Hashim Thaçi u zgjodh president i Kosovës.

“Policia e Kosovës (PK), me qëllim të vazhdimit të informimit të drejtë të opinionit publik, lidhur me shkrimin e publikuar me (25.03.2016) në portalin ‘Koha.net’, e që mban titullin ‘Fol kryeministër, pse u hoqën rojet nga shtëpia jote kur u votua Thaçi’, reagon ndaj këtij shkrimi dhe deklarimeve të tilla të pavërteta dhe sqaron me sa vijon:

Policia e Kosovës të gjitha veprimet e saja, duke i përfshirë ato të ofrimit të sigurisë ndaj rezidencës së Kryeministrit, i ka realizuar konform autorizimeve dhe procedurave të parapara ligjore.

Referuar legjislacionit në fuqi, që nga data e emërimit te z. Mustafa si Kryeministër i vendit, i është caktuar ofrimi i sigurisë së tij dhe rezidencës 24 orë 7 ditë në javë.

Policia e Kosovës në bazë të përgjegjësive të saja edhe në ditën e specifikuar ka ofruar siguri për rezidencën e Kryeministrit, me pjesëtaret e PK-se të cilët kanë qenë të caktuar me detyrë në perimetrin e brendshëm të rrethojës së rezidencës së Kryeministrit, të cilët atë ditë kanë arritur të intervenojnë në fikjen e koktej molotovit të hedhur drejt rezidencës së Kryeministrit.

Referuar prezencës policore dhe gjendjes faktike, nuk bëhet fjalë për kurfar largimi të njësisë policore nga rezidenca e Kryeministrit.

Policia e Kosovës garanton të gjithë qytetarët pa dallime se veprimet e saj i bazon në Kushtetutën e vendit dhe Legjislacionit në fuqi”.

Koha.net ka shpërndarë deklaratën e deputetit Haradinaj që i ishte drejtuar kryeministrit. Ky është statusi i tij i plotë:

“Fol Kryeministër. Kryemnistri Mustafa ka kohë që e ka ashpërsuar gjuhën vetëm kundë Opozitës, thua se vetëm ajo po ia rrezikon karrigën! Por ai sikur nuk po ka kurajo të merret me të vetët të cilët në ditën e votimit të presidentit, ia hoqen policinë nga roja përsonale e shtëpisë. Ndoshta Kryeministri duhet të tregoi se kush e shantazhoi dhe si ndodhi që ministri i policisë që është nga partia e tij, ia hoqi policinë atij, edhe pse kjo është normativë shtetërore. Fol Kryeministër!!!
S’ka dilemë se askush nuk i perkrahë sulmet në familje, por nga Policia e Kosovës po ruhet cuca e kuca a jo edhe shefi i qeverisë. Bomba e vetme në Kosovë është “zajednica” dhe Demarkacioni!”