Sulmet në Bruksel, policia belge ndalon 6 persona

Policia belge ka ndaluar 6 persona gjatë orëve të mbrëmjes së të enjtes si të dyshuar në lidhje me sulmet që i morën jetën me dhjetëra personave të martën.

Zyra e Prokurorit Federal në Bruksel nuk dha detaje në lidhje mbi personat e ndaluar në bastisjen e mbrëmjes së të enjtes. Në deklaratë thuhet se të premten do të vendoset nëse ata do të mbeten në paraburgim.

Deri tani, sipas autoriteteve belge besohet se në shpërthimet e së martës, që i morën jetën 31 persona dhe 330 të tjerë u plagosën, kanë marrë pjesë 5 persona. Tre prej tyre humbën jetën gjatë sulmeve, ndërsa dy të tjerë mendohet se janë ende të lirë.

Për prokurorinë thuajse të gjithë sulmuesit e Brukselit kanë lidhje me Salah Abdeslam, organizatorin e sulmeve të Parisit, i cili u arrestua nga policia belge një javë më parë.

Kjo dëshmon për autoritetet se një nga celulat terroriste të Europës kishte ngritur fortesën e saj në Belgjikë.

Gjatë së enjtes, Ministri belg i Drejtësisë, Koen Geens, dhe ai i Brendshëm, Jan Jambon, ofruan dorëheqjen në valën e kritikave se nuk munden të parandalonin dot sulmet terroriste të Brukselit.

Provat se autoritetet belge ishin paralajmëruar prej muajsh nga Turqia për një skenar të tillë, ishin edhe arsyeja kryesore përse ministrat kërkuan të tërhiqeshin.