17 vjet nga bombardimet e NATO-s

Sot mbushën 17 vjet nga fillimi i sulmeve të NATO-s kundër Serbisë, të cilat kishin nisur me 24 mars 1999 dhe kanë zgjatur 11 javë, respektivisht 78 ditë.

Bombardimet kanë përfunduar me miratimin rezolutës 1244 të KS. Si rezultat ka pasuar largimi i forcave serbe nga Kosova dhe hyrja e trupave të NATO-s, dhe, menjëherë më pas kthimi i mbi 800 mijë refugjatëve shqiptarë nga Kosova, të dëbuar më parë me dhunë nga ushtria serbe.

Në kuadër të KFOR në Kosovë në vitin 1999 kishin hyrë 37 mijë e 200 ushtarë nga 37 vende.

Fushata 78 ditore e NATO-s arriti rezultate të shumta politike, diplomatike dhe ushtarake.

KFOR vazhdon të mbetet aktiv në Kosovë megjithëse numër i konsiderueshëm i tyre janë larguar pas vitit 2008 kur Kosova e shpalli Pavarësinë.