Opozita mban tubim mobilizues para protestës së 26 marsit

Sot në Sallën 1 Tetori në Prishtinë, tri partitë opozitare do të mbajnë një takim mobilizues në kuadër të përpjekjeve të tyre për të kundërshtuar koalicionin qeverisës dhe për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, duke i paraprirë protestës së thirrur për 26 mars.

Sipas ‘event’-it të krijuar në Facebook, betejat kundër marrëveshjeve kriminale, siç i quan opozita, do të vazhdojnë.

“Ka gjysmë viti që po kundërshtohen marrëveshjet kriminale të nënshkruara nga Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi. “Zajednica”, marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, Qeveria shtypëse e anti-kushtetuese që po shkon kah regjimi fashist, tashmë po kundërshtohen nga një front i gjerë shoqëror. Ne nuk e kemi lënë Qeverinë që t’i realizojë këto projekte”, thuhet në përshkrimin e njoftimit.

Opozita konstaton se tashmë e ka prishur rehatinë e pushtetit, duke paralajmëruar se 26 marsi do të jetë demokracia e saj.

“Më 26 mars, suksesi jonë do të jetë demokracia. Për këtë po mobilizohemi në terren. Jemi anekënd Kosovës duke u bërë bashkë me njëri – tjetrin. Për këtë do të tubohemi më 19 mars, për t’u mobilizuar që të bëhemi pjesë e shumicës që do ta sjellë ndryshimin. Nga salla “1 Tetori” më 19 mars në Prishtinë takohemi për t’i dhënë një nisje të re angazhimit tonë protestues, që do të kulmojë në 26 mars”, thuhet në fund. /KosovaPress/