Sot merret vendimi per Trim Gashin, aktivistin e VV-se, avokati pret lirimin e tij

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot kanë paraqitur fjalët përfundimtare avokati i Trim Gashit dhe prokurori që është marrë me këtë rast.

Aktivisti i Vetëvendosjes Trim Gashi akuzohet për sulm ndaj eskortës së kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa.

Në fjalën e tij përfndimtare prokurori Abdurrahim Islami ka kërkuar nga Trupi Gjykues që i akuzuari të shpallet fajtor në bazë të dispozitave ligjore.

Prokurori Islami këtë e ka mbështetur në bazë të dëshmive të dëshmitarëve, sipas të cilit të gjitha dëshmitë tregojnë se i akuzuari Gashi dhe nëntë persona tjerë këtë vepër e kanë kryer me dashje

Ndërsa avokati i të akuzuarit, Tomë Gashi kërkoi nga Trupi Gjykues që vendimi ndaj klientit të tij të jetë lirues e që me këtë siç tha ai të zbutet padrejtësia e bërë ndaj Trim Gashit. Avokati Gashi tha se e gjithë kjo është bërë për shkaqe të luftës politike ndaj pozitës dhe opozitës.

Trupi Gjykues pas dëgjimit të fjalëve përfundimtare të Prokurorisë dhe palës mbrojtëse, shpalljen e aktgjykimit do ta bëjë në orën 13:00.

Prokurori Abdurrahim Islami, tha se gjitha veprimet e bëra të Trim Gashit dhe të tjerëve janë bërë me dashje, e që në këtë rast sipas tij qëllimi i tyre ka qenë rrezikimi i rendit kushtetues, dhe siguria e Republikës së Kosovës.

Por avokati Tomë Gashi, akuzoi Prokurorinë se është shndërruar në mjet politik të pozitës për të luftuar opozitën, e posaçërisht Lëvizjen Vetëvendosje.

Gashi tha se Prokuroria në Prishtinë nuk ka guxim që të ndryshoj asgjë nga aktakuza, pasi që sipas tij kjo aktakuzë është politike.

Gashi është shprehur se i vetmi mëkat i Trim Gashit ka qenë ajo se tek ai është gjetur libreza e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në seancën e sotme të fjalës përfundimtare, në përkrahje të Trim Gashit kishin ardhur edhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje./KosovaPress/