Vleresimi per permbushjen e kritereve per viza ne Kosove behet javen e ardhshme

Javën e ardhshme përkatesisht më 17 dhe 18 mars, në Kosovë do të qëndroje një mision vlerësues i ekspertëve nga shtetet anëtare të BE-së për të vlerësuar përmbushjen e 8 rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian në procesin e dialogut për liberalizimin e vizave.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Integrimeve, misioni vlerësues do të jetë i përbërë nga katër ekspertë nga shtetet anëtare të BE-së dhe zyrtarë të Komisionit Evropian.

“Ky mision i paraprinë vizitës së Komisionerit Avramopoulos i cili pritet të realizojë vizitën e paralajmëruar në Kosovë për tu njohur për së afërmi me progresin e bërë në adresimin e kritereve të fundit për të rekomanduar më pastaj heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Ministria për Integrim Evropian ka koordinuar procesin dhe së bashku me institucionet tjera përgjegjëse, kanë bërë pregaditjet e nevojshme për të pritur misionin vlerësues dhe për të prezentuar të gjitha masat e ndërmarra në zbatimin e 8 rekomandimeve të fundit në këtë proces”, ka thënë ai.

Më 18 dhjetor 2015, Komisioni Evropian ka publikuar raportin e fundit në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ky raport ka konstatuar se nga gjithsejtë 95 kritere të udhërrëfyesit, 87 janë zbatuar plotësisht, gjersa ka dhënë rekomandime për 8 kritere që janë vlerësuar si të plotësuara pjesërisht.