Filmi “Shok” do të shfaqet në festivalin prestigjoz të filmit “Tribeca” në New York

Filmi “Shok” do të shfaqet në “Tribeca Film Festival” në New York, Amerikë, njofton Shok Short Film permes një njoftimi për mediat.

Festivali prestigjioz është themeluar nga Jane Rosenthal, Robert De Niro dhe Craig Hatkoff.

Tribeca Film Festival tërheq rreth tre milionë njerëz, përfshirë të famshëm nga bota e artit, filmit dhe muzikës dhe gjeneron 600 milionë dollarë në vit. Gjithashtu, Tribeca është një nga festivalet më të njohur të filmit.

“Tregimi i shokëve, Petritit (Lum Veseli) dhe Okit (Andi Bajgora) po vazhdon të ketë sukses të madh. Pas sukseseve që pati duke e përfshirë edhe nominimin për çmimin Oscars, filmi “Shok” me skenar dhe regji nga Jamie Donoughue dhe me producent Eshref Durmishi dhe Harvey Ascott, do të shfaqet përsëri në Amerikë.

Tregim rrënqethës i bazuar në ngjarje të vërteta të kohës së luftës në Kosovë, po vazhdon sukseset anekënd botës”, thuhet në deklarate.

Filmi “Shok”, para disa javësh ishte pjesëmarrës në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscar, i nominuar për kategorinë filmi më i mirë me metrazh të shkurtër.