Opozita: do të vazhdojmë kundërshtimin e fortë të kësaj Qeverie

Lëvizja Vetëvendosje tashmë e ka bërë të qartë vendimin për veprimet që do t’i ndërmarrë nesër në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës. Përfaqësues të kësaj Lëvizje, kanë pohuar se ata janë të vendosur të vazhdojnë me metoda të njëjta për ta penguar punën e Kuvendit. Por një gjë të tillë nuk e kanë konfirmuar nga dy partitë e tjera e opozitës.

Driton Çaushi nga VV, pohon se opozita do të jetë nesër në Parlament, dhe se kundërshtimi do të jetë po aq i vendosur, siç ka qenë deri tani. Ndërsa thekson se nuk kanë ndryshuar as metodat e kundërshtimit.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ende nuk ka një qëndrim të prerë, rreth veprimeve që deputete e kësaj partie do të ndërmarrin në seancën e nesërme.

“Ne jemi të vendosur përderisa asgjë nuk ka ndryshuar në situatën politike dhe mënyrën se si institucionet e Kosovës po funksionojnë, që të vazhdojmë me kundërshtimin e fortë siç kemi bërë deri tani ndaj këtyre marrëveshjeve dhe ndaj kësaj Qeverie. Jemi duke u përballur me një Qeveri antikushtetuese. Nuk guxojmë ta harrojmë këtë fakt. Asgjë esencialisht nuk ka ndryshuar. Bile-bile zhvillimet e ditëve të fundit kanë dëshmuar se arsyet për të protestuar brenda institucioneve, janë edhe më të mëdha se deri tani…Nuk ka asnjë arsye që metodat tona dhe vendosmëria jonë si opozitë e bashkuar për të kundërshtuar marrëveshjen dhe Qeverinë të ndryshojnë”, ka thene Çaushi.

Megjithëse VV flet për veprimet e opozitës së bashkuar, duke pohuar se do të vazhdojnë me metoda të njëjta, një gjë të tillë nuk e konfirmojnë zyrtarë të AAK-së. AAK ende nuk ka qëndrim për veprimet që do t’i ndërmarrë në seancën e nesërme.

Zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thene për KosovaPress se i mbetet Grupit Parlamentar të kësaj partie, që të vendose për veprimet e mëtejme. Sipas tij, deputetët e këtij subjekti politik, do të marrin veprime në bazë të vlerësimit të situatës.

“Deputetët në bazë të situatës do të vlerësojnë dhe do të marrin veprime. Është në diskrecionin e grupit parlamentar të AAK-së të vendos vete”, tha Nitaj.