Capello: “Te Reali ka lojtarë mediokër”

Fabio Capelo nuk i ka kursyer kritikat për futbollistët e Realit të Madridit, të cilët po kalojnë një moment të vështirë në rezultate. Pak ditë më parë, Cristiano Ronaldo u shpreh se, nëse të gjithë shokët e tij të ekipit do të luanin në të njëjtin nivel me të, atëherë do të ishin të parët në renditje.

“Cristiano ka të drejtë. Ka shumë futbollistë që janë zhgënjyes këtë sezon. Disa të tjerë janë mediokër nëse i krahason me nivelin e klubit ku luajnë. Nuk e meritojnë fanellën që mbajnë veshur. Për këtë arsye ka edhe diferenca të mëdha brenda fushës dhe skuadra nuk jep atë që të gjithë presin”, u shpreh italiani.

Por, ai nuk i kurseu edhe kritikat për yllin portugez: “Ronaldo është një lider, por flet më shumë se sa duhet. Para se të akuzojë shokët e ekipit, duhet që të bëjë autokritikë.

Në derbin ndaj Atleticos së Madridit ai shpërdoroi dy raste të pastra shënimi. Nëse do të kishte realizuar, atëherë ndeshja do të kishte marrë një rrjedhë tjetër”, tha Fabio Capelo. Ish-tekniku i merengesve kërkoi që në fund të këtij edicioni të skarcohen të gjithë ata që nuk janë në nivelin e duhur, pasi kjo do të shkaktonte më tepër pakënaqësi.