Ritualet e patriotit normal shqiptar dhe transkripti i tij publik e i fshehur (Pjesa e dytë)*

Nga: Shkodran Ramadani

Alain Badiou vëren se si shteti është një industri shumë efikase në farkëtimin e identitetit. Shteti e bën këtë përmes imponimit të një figure “normale” kombëtare, qytetërimore apo fetare. Në Kosovë shteti është në përpjekje të vazhdueshme që të fabrikojë dhe konsolidojë një identitet të “patriotit shqiptar/kosovar”. Sot një patriot shqiptar/kosovar është pakushtimisht properëndimor, pro tregut të lirë, pro integrimeve evropiane, kritik i orientit, sidomos i të kaluarës dhe të tashmes tonë me orientin, sekular dhe mundësisht sa më pak musliman. Kështu shteti me krejt veglat e tij skulpturon figurën e patriotit normal shqiptar që më pas shërben si model dhe pikë reference për të gjithë të tjerët. Të gjithë ata që nuk përputhen me këtë skemë, përfundojnë në anën e jashtme të mureve të westerno-centrizmit, pra të përjashtuar.

Ky ka qenë përafërsisht deri tash profili i qytetarit “normal” kosovar në sferën publike i cili lirshëm ka mundur të shpalosë bindjet e veta. Ai i cili e ka pasur më vështirë të tregojë veten ka qenë ai që nuk është përshtatur me këtë skemë, ai që ka qenë kritik i shteteve perëndimore, i kapitalizmit, liberalizmit dhe sekularizmit. Kjo vlen edhe për ata të cilët janë në parim pro këtyre paradigmave, por që kërkojnë të rimendohen si të tilla. Pra vërehet një lloj dekurajimi ndaj atyre që nuk përshtaten me format strikte të të menduarit rreth këtyre principeve të modernitetit.

Një strukturë e tillë e ligjërimit mund të vërehet në disa nga reagimet e zyrtarëve shtetërorë, nga intelektualë, analistë dhe figura publike me rastin e deklaratës së ambasadorit amerikan dhe reagimeve që ndoqën deklaratën në fjalë. Qëndrim Gashi, ambasadori (në pritje për t’u dekretuar nga Presidentja e Kosovës) i Kosovës në Francë, në një status në llogarinë e tij në facebook sulmoi ashpër të gjithë kritikët e SHBA-ve dhe sidomos ata që iu bashkuan një peticioni që kërkonte largimin e ambasadorit Delawie nga Kosova. Ai shkroi se është neveritëse kritika kundër SHBA-ve dhe ai këto i konsideron si të jorastësishme. Të njëjtën gjë e thotë edhe për kritikën në raport me përfaqësuesit evropianë. Për këta kritikues Gashi shkruan:

“Me këtë mendësi lista e shteteve armike mund të zgjerohet, në përputhje me leksionet e xhaxhit Enver.

Kjo qasje pjesërisht bazohet tek një ideologji ekstreme e majtë për të cilët ShBA ishin gjithmonë kapitalistë të papërmirësueshëm. Por, në këtë përzierje ka edhe OJQ-istë të frustruar, anëtarë të një “elitëze”, kryesisht prishtinase që meqë nuk shtyhen dot me kontributin në luftë çlirimtare tentojnë ta rekuperojnë mungesën e dukjes së patriotizmit me pozicione absurde anti-perëndimore, disa përkrahës apo individë që kanë simpati për ekstremistët religjiozë, disa “puritanë” që mendojnë se sovraniteti duhet “ushtruar” kundër ambasadorit mik por nuk janë kundër që KFOR-i të qëndrojë në Kosovë edhe pse është mision i një organizate që ende nuk na njeh formalisht si shtet. Kuptohet, nuk ka miks pa pasur prani edhe të disa budallenjve.

Ndryshimet dhe progresi mund të bëhen në Kosovë, ato duhet të ndodhin dhe do të ndodhin, por vetëm në mënyrë paqësore e demokratike. Rendi dhe ligji, ekonomia, arsimi dhe shëndetësia kanë nevojë për zhvillim të hovshëm. Në atë rrugë do të vazhdojë të na nevojitet përkrahja dhe bashkëpunimi me ShBA-të e jo konfrontimi me ta.”

Në këtë postim vërehet logjika e cila përjashton të gjithë kritikët e SHBA-ve, duke i futur në një thes të vetëm dhe duke i hedhur në lumin e anti-amerikanizmit, që siç e thamë edhe më lart, është karakteristikë e situatave totalitare. Pas ekzaminimit të Gashit, kritikët dalin si kategori të papërputhshme me figurën “normale” të patriotit shqiptar/kosovar. Këta nuk janë përshtatshëm për kallëpin e këtij patrioti sepse sipas tij këta kritikë nuk janë pro-amerikanë, por anti-amerikanë; nuk janë sekularë, por fanatikë religjiozë; nuk janë liberalë, por ekstrem i majtë. Kështu pra vibron prirja për të homogjenizuar sferën publike me një identitet, logjikë dhe ligjërim të veçantë.

Kjo tendencë për hegjemoni diskursive frymon gjithandej në sferën publike dhe sidomos në hapësirën institucionale. Me rastin e peticionit të nisur për largimin e ambasadorit Delawie, që nuk është se u mor shumë seriozisht nga opozita dhe shumica dërrmuese e qytetarëve të Kosovës, Kryeministri i vendit Isa Mustafa gjeti kohë dhe motiv që të dënojë këtë iniciativë. Ky peticion për nismëtar pati një të dyshuar për terrorizëm (Der Spiegel) dhe në postimin e Mustafës vërehet njëfarë dëshire që aktin e peticionit ta identifikojë me dëshirat e një terroristi. Ai shkroi:

Po i përcjell disa deklarata të njerëzve të përgjegjshëm dhe mospajtimet e tyre me një peticion të pa kuptimtë të iniciuar, sipas disa mediave, nga një terrorist, kundër Ambasadorit të SHBA Delawie.

Më poshtë, në postimin e tij, Mustafa shkruan:

Ata që “frikësohem” se mos po e lëshojnë Kosovën pasi i ka lëshuar mendja, janë disa gra që i kanë kullotë të gjitha fondet e mundshme nga perëndimi, e mos po lenë burrat e tyre e po shkojnë në Kore të Veriut (sepse as Kuba nuk i pranon) apo disa OJQ-ista nacionalist ,mos po turren kah lindja. Sidoqoftë unë i dua më shumë SHBA-të. IM”

Në fillim nuk ishte e qartë se për cilat gra kryeministri e kishte fjalën, por më vonë u mor vesh se bëhet fjalë për “Rrjetin e Grave të Kosovës” që përmes një komunikate dënoi dhunën që u ushtrua mbi deputeten e Vetëvendosjes në kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu.

Edhe këtu vërehet logjika përjashtuese dhe kësaj radhe në gjuhë edhe më eksplicite se ajo e Qëndrim Gashit. Këtu ai e shfaqë publikisht dëshirën që anëtarët e këtij rrjeti të lëshojnë Kosovën dhe të shkojnë në vendin me regjim komunist, në Korenë e Veriut. Ai më tej ironizoi duke lënë të nënkuptohet se Kuba është shumë liberale për mendësinë e këtij rrjeti, prandaj as ajo nuk i pranon. Më pas, Mustafa tha diçka që me siguri edhe ai e ka të vështirë ta kuptojë se çfarë ka dashur të thotë, se ka mundësi që nacionalistët “turren kah lindja”. Në ligjërimin e Mustafës kritikët portretizohen si komunistë dhe nacionalistë që është më mirë ta lëshojnë vendin sepse nuk janë të përshtatshëm për Kosovën liberale, sekulare dhe pro-perëndimore.

Në librin e tij “Dominimi dhe artet e rezistencës”, James Scott flet për “transkriptin publik” dhe për “transkriptin e fshehur”. “Transkripti publik” është gjuha, logjika dhe rregullat të cilat duhet t’i ndjekin ata që përfshihen në sferën publike, kurse “Transkripte të fshehura” janë gjuhët, logjikat dhe rregullat të cilat zhvillohen jashtë sferës publike për shkak që janë të papërshtatshme për raportin publik të pushtetit dhe dominimit. Kështu, narracioni i këtij transkripti publik përsëritet vazhdimisht dhe merr nuanca të ritualizmit, riprodhon në mënyrë konstante të njëjtën logjikë në mënyrë që të mbajë të freskëta tabutë dhe mitet që mirëmbajnë imagjinaren e sferës publike.

Kritikët e SHBA-ve, që janë bartës të njërës prej “transkriptave të fshehura” në këtë botëkuptim paraqiten si orientalë, joliberalë, fanatikë religjiozë, turkofilë etj, si persona që nuk mund të integrohen në strukturën e sferës publike. Këta shihen si bojkotues të ritualeve publike dhe si blasfemues të cilët nuk pranojnë mitet e sferës publike, me një fjalë shpallen heretikë të një dogme që në shikim të parë nuk duket dogmë. Kështu, “transkripti publik” dhe “transkripti i fshehur” e gjejnë veten në një raport asimetrik, me njërin që dominon dhe me tjetrin që dominohet.

“Transkriptet e fshehura” janë tërësia e dijeve të skajuara nga dominimi i rrjetit të pushteteve dhe të cilat oscilojnë në mes të prirjes për t’u bërë publike dhe frikës për ta bërë një gjë të tillë. Pikërisht ky është edhe pozicioni në të cilin gjenden të gjithë ata që kanë për të thënë një kritikë për SHBA-të: dëshirojnë të kritikojnë, por hezitojnë për arsyet disa prej të cilave i renditëm në pjesën e parë të këtij artikulli. Liria e shprehjes është e mbrojtur me ligj dhe çdokush, në parim, mund të kritikojë këdo dhe çfarëdo lirshëm pa u përndjekur me ligj. Mirëpo ekzistojnë tjerë mekanizma që si me zhurmëmbytës i mbyllin gojën kritikëve me dije të caktuara. Ky imponim i një pozicioni të caktuar në sferën publike ndikon që “transkriptat e fshehura” të gjejnë jetë “prapa binës”, larg nga ata që dominojnë sferën publike.

Ajo çfarë është “transkript publik” në Kosovë, do të thotë njëfarë miratimi i brendshëm për ndërhyrje nga jashtë, në Francë është “transkript i fshehur” dhe ambasadori kosovar atje duhet ta mbajë gojën mbyllur për proceset e brendshme në Francë. Kjo sepse francezët vështirë se do të toleronin që një ambasador t’u tregojë atyre se sa refugjatë duhet t’i pranojë Franca, sa t’i dëbojë, se duhet apo nuk duhet Franca të mbetet në Bashkimi Evropian, se duhet apo nuk duhet të lejohen të vijojnë mësimin në shkolla vajzat me shami. Një ambasador në Francë, jo vetëm ai kosovar, nuk do të mund të thoshte se i vjen neveri nga Fronti Nacional. Ose, së paku, nuk do të kalonte aq lehtë po të thoshte diçka të tillë.

Kjo sepse roli i ambasadorit në një shtet tjetër është i rregulluar me Konventën e Vienës për Marrëdhëniet Diplomatike. Në rastet kur konsiderohet se ambasadori ka kaluar vijën e kuqe, ai mund të shpallet persona non-grata dhe të largohet nga vendi dhe një gjë e tillë bazohet në artikullin 9 të kësaj konvente. Tash, me të drejtë, dikush thotë se relacioni i Kosovës me SHBA-të është ndryshe nga ai i Francës me Kosovën (edhe pse ambasadorët e deritanishëm francezë në Kosovë kanë qenë mjaft të zëshëm) dhe ndryshe nga raportet mes shumicës së shteteve në botë dhe ky fakt e bën të pranueshëm ndërhyrjen nga ambasadorët me mision në Kosovë.

Është e vështirë të paramendohet një botë ku ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, do të guxonte të fliste zhurmshëm për fushatën elektorale në SHBA dhe të thotë se i vjen të vjellë nga Donald Trump apo nga ndonjë tjetër kandidat. Prapë, me të drejtë, dikush mund të thotë se marrëdhënia mes SHBA-ve dhe Kosovës është asimetrike, e pabarabartë dhe çfarë është e lejuar për SHBA-të është e ndaluar për Kosovën dhe kjo është krejt e kuptueshme kur kemi parasysh balancin e forcave. Mirëpo, çfarë duhet të ngritet si çështje është natyra e raportit. Vjen pyetja: a janë miqësitë marrëdhënie në të cilat palët kanë të drejta të pabarabarta? A është miqësi ajo ku njëra palë është super dominante, e tjetra super e nënshtruar? A mund të quhet miqësi relacioni ku dominimi dhe dhunimi i integritetit janë të pranishëm? (vijon…)

penaime.com

_____________________________

*Pjesa e parë: http: //www.penaime.com/anti-amerikanizmi-anti-semitizmi-dhe-imuniteti-perballe-kritikes-pjesa-e-pare/