Anti-Amerikanizmi, anti-semitizmi dhe imuniteti përballë kritikës (Pjesa e parë)

Nga: Shkodran Ramadani

Para 43 viteve, më 1973, në një artikull interesant të botuar në Congress Weekly, një gazetë e përjavshme amerikano-hebreje me orientim liberal, amabasadori i asokohshëm i Izraelit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Abba Eban, pati këshilluar komunitetin Amerikano-Hebre t’i kryente dy detyra. Njëra ishte që hebrenjtë që jetonin jo vetëm në SHBA, por në të gjithë botën, të përpiqeshin të dëshmonin se kritika e politikave, të cilën ai e quante anti-Zionizëm – që është kritikë e politikave që i ndjek shteti i Izraelit – në fakt është anti-Semitizëm. Kjo ishte detyra e parë. Detyra e dytë kishte të bënte me kritikën e cila vinte nga hebrenjtë.

Nëse kritika bëhej nga hebrenjtë, këshillonte Eban, detyra e hebrenjve tjerë ishte të dëshmonin se kjo buronte nga një impuls neurotik i vetëurrejtjes dhe se kritikët e kësaj natyre kishin nevojë për trajtim psikiatrik. Të parët duhej të dënoheshin për anti-Semitizëm, kurse të dytët të shpalleshin si persona me çrregullime psikiatrike. Ky shkrim i ambasadorit izraelit në OKB është njëherësh edhe locus classicus-i i relacionit mes anti-Semitizmit dhe anti-Zionizmit dhe është një nga formulimet më precize të prirjes në ligjërimin publik për të ngatërruar (edhe qëllimshëm) këto dy korniza diskursive, për t’i njësuar ato, për t’i bërë një. Kjo për një arsye apo tjetër.

Nga njëra anë, anti-semitët shfrytëzojnë të bëmat e Izraelit për të vjellë racizëm mbi hebrenjtë dhe ky tabor nganjëherë shkon aq larg sa edhe të arsyetojë Holokaustin dhe luftimin e hebrenjve për shkak të aktivitetit brutal të shtetit të Izraelit mbi palestinezët dhe shtetet tjera fqinje. Tabori tjetër, ai që sajon apologjinë për shtetin e Izraelit, përpiqet që të gjithë kritikët e shtetit të Izraelit t’i fus në kallëpin anti-Semitëve. Norman Finkelstein argumenton se organizatat si Anti-Defamation League kanë prodhuar akuza të anti-Semitizmit “të ri” në intervale të ndryshme që nga vitet e 70-ta e këndej, jo për të luftuar anti-Semitizmin, por për t’i krijuar shtetit të Izraelit imunitet përballë kritikave. Kjo ndërmarrësi nuk ka kursyer as të kaluarën tragjike të hebrenjve, në veçanti Holokaustin, në misionin e tyre për të barrikaduar Izraelin nga kritika që drejtohet kundër tij dhe që kanë të bëjnë me okupimet dhe krimet e kryera ndaj palestinezëve dhe të tjerëve përreth.

Diçka e tillë kishte ndodhur edhe më herët dhe për një fenomen  të tillë shkruhet edhe në Testamentin e Vjetër. Madje, mund të themi se vetë nocioni i anti-Semitizmit origjinën e ka në Biblën e Vjetër. Bëhet fjalë per Mbretin Ahab, që është epitomë e së ligës në Biblën e Vjetër, dhe që dënoi profetin Elijah (Ilaz në Islam) me akuzën se gjoja ky i fundit është urryes i Izraelit. Arsyeja pse Elijah akuzohej për urrejtje të Izraelit ishte për shkak që ai kritikonte aktet e liga të mbretit. Dhe mbreti, si të gjithë sundimtarët absolutë përgjatë historisë identifikoi shtetin – veten – me njerëzit, popullin dhe kulturën. Pra nëse ju kritikoni politikat që ndjek Izraeli, ju jeni urryes te tij. Prandaj edhe u përndoq Elijah i cili luftonte me të dobëtin dhe të varfërin kundër mbretërisë së fuqishme të Ahabit.

Mirëpo, kjo prirje për të sinonimizuar dy gjëra që në realitet janë të ndryshme nuk përfundon në relacionin mes anti-Semitizmit dhe anti-Zionizmit. Një tendencë të tillë e hasim edhe në rastin e njësimit në mes të kritikës kundër politikave të jashtme të shtetit Amerikan dhe anti-amerikanizmit. Kush kritikon një politikë, qasje, vendim apo veprim të SHBA-ve ka të ngjarë që të etiketohet si anti-amerikan. Edhe këtu vërehet një prirje për të barazuar kulturën, shoqërinë dhe njerëzit me shtetin. Mu si në rastin e Ahabit. Këtë etje për të bërë këtë njësim më së shpeshti mund ta gjejmë në diktaturat ushtarake. Për shembull, në Bashkimin Sovjetik, disidentët dënoheshin si anti-Sovietë. Kjo është diçka normale në shoqëritë e zhytura në instinktet totalitare. Një gjë e tillë ndodh jo rrallë edhe me kritikët e Islamit të cilët shpallen si islamofobë pa u analizuar mirë boshti i tyre i të arsyetuarit. Kur dikush kritikon shaminë apo sheriatin, ose së paku interpretimet tradicionale të tyre, ekziston rreziku që ta gjesh veten të ngujuar në një nga rubrikat e islamofobisë. Në këtë rast vërehet mosdurimi për të njësuar kritikën me fobinë, duke e zhbërë dallimin mes tyre dhe duke na e bërë të vështirë të dimë se çfarë është kritika, e çfarë fobia. Kjo është një mënyrë për të heshtur kritikët, pra për të fituar imunitet përballë heshtave të kritikave.

Në Kosovë dhe më gjerë më aktualja nga të tre ligjërimet e sipërpërmendur është ai i anti-amerikanizmit. Në vlugun e përplasjeve mes Qeverisë, në një anë, dhe opozitës, në anën tjetër, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, tha se është “i neveritur nga Lëvizja Vetëvendosje!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe nga Nisma”. Kjo deklaratë e lëshuar nga ambasadori amerikan për shumëkë ishte e papranueshme. Më të zëshmit në reagimin e tyre ishin ata që mbrojnë idenë se ambasadori, cilido qoftë ai, nuk e ka të drejtën që të thotë diçka të tillë, aq më pak brenda hapësirave të institucioneve shtetërore të Kosovës. Madje, disa prej tyre kërkuan nga ambasadori Delawie që të braktisë vendin (për këtë u organizua edhe peticion) e disa shkuan edhe më larg, duke u bërë thirrje institucioneve që ambasadorit t’i lëshojnë një ultimatum për të kërkuar falje për fjalët e tij jo vetëm nga partitë opozitare, por nga të gjitha institucionet e shtetit dhe qytetarët e Kosovës.

Kjo deklaratë ngriti shumë pluhur publik dhe reagimet që dolën dhe që po dalin edhe tash variojnë nga më të ndryshmet, nga ato që përpiqen të arsyetojnë sjelljen e ambasadorit, tek ato që dënojnë ashpër atë. Arsyetimet për sjelljen e ambasadorit ishin të dy natyrave: a) ai është përfaqësues diplomatik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kështu që ai gëzon të drejtën morale për t’u përfshirë në çështjet tona të brendshme; b) Delawie dhe ambasadorët tjerë kanë të drejtë të ndërhyjnë sepse një ndërhyrje e tillë është e nevojshme për shkak që blloqet e krijuara politike në Kosovë po tregohen të paafta në përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund krizës.

Është edhe një variant i tretë i justifikimit, por kësaj radhe justifikimi në fjalë është i një natyre pak më ndryshe dhe mundohet të krijojë një distancë midis asaj që bën ambasadori amerikan në Kosovë dhe asaj që në të vërtet dëshirojnë SHBA-të. Pra, sipas kësaj logjike, ambasadori Delawie është duke e shtrembëruar pozicionin amerikan në raport me proceset politike në Kosovë. Kështu, nga ky lloj i ligjërimit Delawie paraqitet si një i arratisur nga korniza brenda të cilit është i organizuar misioni i tij diplomatik në Kosovë.

Por kjo ka shumë pak gjasa që të jetë e qëndrueshme për shkak që ambasadori është një person juridik që nuk guxon të dalë përtej agjendës të cilën ia përcakton Ministria e Jashtme prej vendit nga ai vjen (në këtë rast Departamenti Amerikan i Shtetit). Vetë nocioni i ekstraterritorialitetit bazohet në idenë se ambasada është një zgjatim i shtetit në një shtet tjetër dhe ambasadori mbron interesat, si dhe ndjek rregullat e shtetit amë. Ambasada është thjesht jashtësim i një shteti në shtetin tjetër, prandaj edhe quhet ekstra-territorialitet.

Përfundi këtij kuazi-justifikimi dhe kësaj kuazi-kritike fshihet njëfarë hezitimi për të kundërshtuar dhe kritikuar politikat dhe qasjen e shtetit amerikan në Kosovë. Sigurisht, ky hezitim buron në masë të madhe edhe nga mirënjohja e pafund që kosovarët kanë për SHBA-të, që është mirënjohja për përkrahjen që kosovarët morën nga SHBA-të në kohën kur përpiqeshin të çliroheshin nga okupimi serb. SHBA-të kishin qenë lidere të aleancës që bombardoi Serbinë për të ndaluar prirjet gjenocidale të regjimit të Millosheviçit mbi shqiptarët e Kosovës dhe kjo është ngjarje që kosovarët nuk do ta harrojnë kurrë. SHBA-të gjithashtu, përtej ndihmës ushtarake, ishin lidere në terrenin diplomatik në favor të Kosovës, duke i ndihmuar së pari që të shpallet shtet i pavarur, e pastaj duke lobuar në rritjen e numrit të shteteve që njohin pavarësinë e Kosovës dhe më pas luajtën rol të fuqishëm në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë duke ofruar bazë dhe argumente për pavarësinë e Kosovës.

Me një fjalë, kosovarët e gjejnë veten të zhytur në një borxh të pambarim ndaj SHBA-ve, prandaj edhe vjen hezitimi për të kritikuar. Madje, çështja mund të shtrohet edhe përtej politikës dhe të shpërndahet edhe në një mjedis ekzistencialist: “ata na shpëtuan jetën dhe ne deri në vdekje jemi në borxh ndaj tyre”. Kështu ne fillojmë t’i ngjajmë njeriut etik dhe të krishterë të Soren Kierkegaardit ekzistenca e të cilit ka kuptimin e borxhit-pa-kufij-ndaj-Tjetrit. Të jesh, do të thotë të jesh në borxh. Dallimi konsiston në atë që borxhi ynë është reaktiv dhe jo proaktiv, pra nuk është borxh i konceptualizuar si iniciativë e pakusht dhe kjo është e kuptueshme sepse të tilla iniciativa jetojnë vetëm në botën e idealeve. Në diskursin e borxhliut, ai që kritikon SHBA-të merr trajtën e mosmirënjohësit, jofalënderuesit dhe bukëpërmbysësit.

Arsyeja e dytë e cila pengon gjallërinë e kritikave në raport me politikat e shtetit amerikan është ajo që lidhet me logjikën e realpolitikës, se vendet e vogla e kanë të pamundur të diktojnë tempon e dinamikave globale dhe roli i tyre në strukturimin e konstelacioneve të politikës globale është krejt margjinal. Ekzistenca e popujve të vegjël është më tepër element statistikor, e më pak faktor përcaktues. Kështu, në logjikën e këtij rrjeti diskursiv Kosova përfundon  si një gur i fundosur në oqeanin e interesave, kalkulimeve, vendimeve dhe marrëveshjeve që prodhohen nga akterë më të fuqishëm globalë, ekzistenca e të cilëve është edhe ekzistencë e pamundësisë për të maksimizuar përfitimet shtetërore.

SHBA-të kështu projektohen si instrument përmes të cilit Kosova mund të faktorizohet ndërkombëtarisht. Arsyet për këtë mund të gjenden edhe tek fakti se Kosova është shtet shumë i ri dhe se nuk është i konsoliduar as në domenin politik, as në atë ekonomik e as atë ushtarak, kështu që na mungojnë kapacitetet për t’u subjektivizuar. Prandaj edhe ardhja në shprehje e SHBA-ve dhe BE-së. Ky hezitim pra i përket natyrës utilitare ku raporti i Kosovës me SHBA-të është i logjikës së dobisë dhe jo i borxhit. Në strukturën e raportit utilitar kritiku i SHBA-ve shihet si person i cili po pengon prosperimin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, pra si jopatriot. Në këtë ligjërim elementi i borxhit etik është inekzistent ose, edhe nëse është, ai i nënshtrohet logjikës utilitare.

Arsyeja e tretë që orvatet të mbyllë gojën e kritikëve të SHBA-ve është gjithashtu e lidhur me orientimin politik, historik dhe gjeostrategjik të Kosovës. Këtu theksi bie më shumë në logjikën e westerno-centrizmit dhe disa nga principet e liberalizmit. Kjo ndërmarrësi ka filluar të ngjizet qysh në ditët e para të nacionalizmit shqiptar që synonte të shkëputej nga e kaluara e tij osmane dhe të shkrihej në mesin e familjes së madhe evropiane, moderne, liberale dhe sekulare. Që nga ajo kohë, ligjërimi, tekstet dhe pothuajse e gjithë dija publike ka qenë e angazhuar për të betonuar vendin e shqiptarëve brenda perëndimit. Pra, me një fjalë shteti me krejt aparatet e tij ka qenë i angazhuar në inxhinierimin e një shoqërie i përshtatet kësaj paradigme. (Vijon…)