Solana thotë se as me partinë e tij në qeveri, Spanja nuk e njeh Kosovën

Javier Solana, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s dhe ish-përfaqësues i lartë për politikat e sigurisë dhe të jashtme në BE, ka folur në Shkollën Diplomatike në Madrid rreth temës “Opinioni për situatën ndërkombëtare”, ku ka permendur edhe çështjen e Kosovës.

Media kroate “narod.hr” shkruan se Solana ka thënë se edhe nëse partia e tij vjen në pushtet, që pritet të merr besimin e parlamentit Pedro Sanchez i PSOE-së, qëndrimi ndaj Kosovës do të jetë i njëjtë. Kjo rrjedh edhe nga deklarata e Sanchez se kundërshton mbajtjen e një referendum mbi pavarësinë e Katalonisë, krahina në verilindje të Spanjës që kërkon pavarësinë e saj.

Gjatë asaj paraqitjeje në Madrid, Solana, tash 73 vjeçar, anëtar i Partisë Socialiste të Punëtorëve në Spanjë, ka folur edhe për njohjen e Kosovës nga Spanja, një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin Kosovën.

Solana gjithashtu ka thënë se kufijte mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë të ligjshëm, por janë kufinj.

“Në Kosovë, gjërat nuk shkuan mirë. Kufiri mes Kosovës dhe Serbisë është i paligjshëm, por megjithatë është një kufi. Serbia është e gatshme të flasë për këtë. Gjithashtu duhet pasur parasysh që Shqipëria është vend i vështirë”, ka thënë Solana.

Solana eshte i njohur per kosovaret pasi qe ka qene Sekretar i Pergjithshem i NATO-s, kur kjo forcë euroatlantike ka bombarduar caqet serbe në Kosovë dhe Serbi, gjatë luftës në Kosovë. Ai gjithashtu njihet për marrëdhëniet e mira që ka pasur me ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.