RrGGK reagon kundër trajtimit ndaj deputetes Albulena Haxhiu

Ka reaguar Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, kundër trajtimit që po i bëhet deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nga anëtarët e Policisë së Kosovës gjatë seancës parlamentare të mbajtur më 19 shkurt 2016, kur ajo përpos që u arresua, edhe u lëndua si pasojë e përplasjes me kokë në mermer.

Albulena Haxhiu tani gjendet në spital, dhe, sipas raportimit të Agjencisë Kosovapress, ajo është marrë në pyetje nga prokurori në spital.

RrGGK, në reagimin e tyre, ka kërkuar hetim të menjëhershëm për trajtimin, sic e quajnë, të dyshimtë nga Policia.

Ja reagimi i plotë:

Reagim kundër trajtimit të deputetes Albulena Haxhiu

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës dënon trajtimin e dyshimtë të deputetes Albulena Haxhiu nga anëtarët e Policisë së Kosovës gjatë dhe pas seancës parlamentare të 19 shkurtit 2016, dhe kërkon hetim të menjëhershëm të kushteve të arrestimit dhe trajtimit të saj nga anëtarët e Policisë së Kosovës.

Gjatë konfrontimit në seancën parlamentare të mbajtur me 19 shkurt 2016, në momentin e kapjes së saj nga sigurimi parlamentar, Haxhiu shtyhet nga një anëtare e sigurimit, dhe si rrjedhojë rrëzohet dhe godet kokën. E lënduar, ajo dërgohet në emergjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Aty, anëtarët e Policisë së Kosovës nuk lejuan anëtarët e familjes së Haxhiut e as mediat të afrohen në dhomën ku ishte duke u trajtuar nga stafi mjekësor. Madje, sipas bashkëshortit të saj, policët kanë qëndruar në dhomën e trajtimit dhe kontrolluan trupin e Haxhiut gjatë mjekimit të saj.

Ne besojmë se qëndrimi i saj në dhomën e trajtimit me anëtarë të Policisë së Kosovës dhe pa prezencën e anëtarëve të familjes nuk është i drejtë, për disa arsye:

E para, prej kohës kur është lënduar e deri te qëndrimi i saj në spital, asaj nuk i është paraqitur një urdhër arresti. Po ashtu, nuk është e qartë nëse ishte zyrtarisht nën arrest apo paraburgim policor. Në rastin e dytë, nuk është e qartë nëqoftëse ajo mund të kuptonte arsyet e arrestimit të saj, një kusht ligjor për arrestim dhe paraburgim sipas ligjeve të Kosovës.

E dyta, asnjë nen në Kodin Penal apo në Kodin e Procedurës Penale nuk arsyeton mos lejimin e anëtarëve të familjes së Haxhiut në dhomën e trajtimit.

E treta, mu për shkak se është zyrtare publike, Policia e Kosovës është dashur të demonstrojë transparencë të plotë gjatë përcjelljes së Haxhiut në QKUK. Nuk është e qartë për qytetarët nëqoftëse Haxhiu është marrë në pyetje kur ishte në dhomën e trajtimit, e rrethuar me anëtarë të Policisë së Kosovës. Po ashtu nuk është e qartë nëqoftëse kontrollimi i trupit të Haxhiut është kryer mbrenda kornizave ligjore të Kosovës.

I bëjmë thirrje Policisë së Kosovës të hetojë dhe spjegojë arsyet e këtij arrestimi jo transparent të një deputete parlamentare; të hetojë nëqoftëse ilegalisht është marrë në pyetje gjatë trajtimit të saj mjekësor, dhe të hetojë nëqoftëse personi i saj është kontrolluar ilegalisht nga Policia e Kosovës gjatë qëndrimit të Haxhiut në dhomën e trajtimit. Për të gjitha këto veprime, presim llogaridhënie nga Policia e Kosovës.