NATO rrit praninë në lindje të Evropës

Ministrat e Mbrojtjes së NATO-s kanë miratuar planin për rritjen e pranisë së trupave të tyre në lindje të Evropës. Ky plan, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, është një masë për parandalimin e sulmeve të mundshme ruse. Plani për forcimin e pranisë së NATOs në këtë rajon do të detajohet gjatë muajve të ardhshëm, para korrikut, kur do të mbahet samiti i NATO-s.

Këto masa kanë ardhur pas ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë, si pasojë e së cilës vendet e Evropës ndihen të kërcënuara. “Një sulm kundër një aleati është një sulm kundër të gjithë aleatëve. Ne do t’i përgjigjemi njëzëri çdo akti agresioni”, ka deklaruar Stoltenberg. ”Ne duam krijimin e një pranie shumëkombëshe me trupa, që do të dërgojë një sinjal shumë të fortë të unitetit të NATO-s”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër, Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, e ka akuzur NATO-n se po shpërndan frikë për kërcënimin rus, ndërkohë që qëllimi i saj është zgjerimi drejt Lindjes. ”NATO-ja duhet të qëndrojë brenda kufijve të saj. Veprimet e NATO-s po krijojnë një faktor destabilizimi për sigurinë globale”, ka deklaruar Lavrov për Agjencinë Zyrtare Ruse të Lajmeve, TASS.