Proceset konvencionale të selektimit të punëtorëve janë kontribues të mëdhenj në mungesën e efikasitetit në praktikat menaxheriale; shumë pak shkencë ose hulumtime aplikohen në gjetjen e personit të duhur për pozitën menaxheriale. Kur Gallup-i i kishte pyetur menaxherët në SHBA se pse besojnë se janë punësuar për pozitën aktuale, ata pa dallim kanë cituar sukseset në pozitat e mëhershme jo-menaxheriale ose periudhën e gjatë të tyre në kompani.

Këto arsye nuk merren parasysh sa i përket asaj se a e ka një kandidat talentin e duhur për të qenë i suksesshëm në pozita menaxheriale. Të qenit programer i suksesshëm, agjent i shitjes, ose inxhinier, nuk garanton se do të jeni në gjendje të menaxhoni të tjerët në mënyrë të suksesshme.

Shumica e kompanive i promovojnë punëtorët në pozita menaxheriale pasi që kanë përshtypjen se ata i meritojnë ato, e jo për shkak se kanë talent. Kjo praktikë nuk funksionon. Përvoja dhe aftësitë janë të rëndësishme, por, talentet e njerëzve – modelet që natyrshëm përsëriten në mënyrën e tyre të të menduarit, ndiejnë dhe sillen – parashikojnë se në çfarë pikash ata do të performojnë më së miri. Talenti është i lindur dhe është kushti bazë për të pasur performancë të shkëlqyeshme. Njohuritë, përvoja dhe aftësitë i zhvillojnë talentet tona, por, nëse nuk e posedojmë talentin e lindur për të kryer këtë punë, asnjë trajnim apo përvojë nuk do të ketë efekt.

Shumë pak persona janë në gjendje të vënë në funksion të pesë kriteret e menaxhimit të mirë. Shumica e menaxherëve përfundojnë me anëtarë të ekipit të cilët, në rastin më të mirë, janë indiferentë ndaj punës së tyre – ose, në rastin më të keq, bllokojnë ose e shpërndajnë negativitetin e tyre tek kolegët dhe klientët. Megjithatë, kur kompanitë e rrisin numrin e menaxherëve të talentuar dhe e dyfishojnë shkallën e punëtorëve që angazhohen në punë, ata arrijnë mesatarisht 147% fitime më të larta për aksion se konkurentët e tyre.

Është me rëndësi të ceket, posqërisht në klimën aktuale ekonomike, se gjetja e menaxherëve të mirë nuk varet as nga kushtet e tregut e as nga fuqia aktuale punëtore. Kompanitë e mëdha kanë përafërsisht nga 1 menaxher për çdo 10 punëtorë, dhe Gallupi-i ka konstatuar se 1 në 10 persona posedon talentin e lindur për të menaxhuar. Po të bëhen llogaritë, gjasat janë që secili ekip ka talentin për të udhëhequr. Por, në bazë të të gjeturave të Gallup-it, gjasat janë shumë të mëdha që personi me talent nuk është menaxheri i ekipit. Ka shumë gjasa që ai të jetë një punëtor me potencial të lartë për të menaxhuar që pret që talenti i tij të zbulohet.

Lajmi i mirë është se në secilën kompani ekziston një talent i mjaftueshëm menaxherial i cili qëndron i fshehur dhe ende nuk është zbuluar. Udhëheqësit duhet të maksimizojnë këtë potencial duke zgjedhur personin e duhur për rolin e ardhshëm menaxherial dhe të shfrytëzojnë analitikën parashikuese për t’u ndihmuar në identifikimin e talentëve.

Për një kohë shumë të gjatë, kompanitë kanë humbur kohë, energji dhe burime duke punësuar menaxherët e gabueshëm e duke provuar më pas t’i trajnojnë ata të bëhen dikush që s’janë. Asgjë nuk e ndreq zgjedhjen e gabuar.