Kompania hulumtuese me renome, Gallup, ka konstatuar se një prej vendimeve më të rëndësishme të cilat marrin kompanitë është thjesht se kë e emërojnë menaxher. E megjithatë, analiza e tyre thotë se në të shumtën e rasteve ata marrin vendime të gabuara. Në fakt, Gallup-i ka konstatuar se, në 82% të rasteve, kompanitë dështojnë të zgjedhin kandidatin që ka talentin e duhur.

Menaxherët e këqinj i kushtojnë bizneseve miliarda dollarë çdo vit, dhe, numri i madh i menaxherëve të këqinj mund ta bëjë një kompani të falimentojë. Mbrojtja e vetme ndaj këtij problemi masiv është sulmi, pasi që, kur kompanitë marrin vendime të gabuara lidhur me këtë, nuk ka asgjë që mund t’i ndreqë ato. Bizneset që marrin vendimet e duhura dhe të cilat punësojnë menaxherët në bazë të talentit, do të lulëzojnë dhe do të kenë një përparësi të konsiderueshme konkuruese.

Menaxherët përbëjnë të paktën 70% të variancës që paraqitet në rezultatet e shkallës së angazhimit në të gjitha njësitë biznesore, vlerëson Gallup. Kjo variancë (pra, menaxherët), mbajnë përgjegjësinë për angazhimin tejet të ulët të punëtorëve në mbarë botën. Në dy studime të shkallës së gjerë të kryera në vitin 2012, Gallup-i kishte raportuar se vetëm 30% e punëtorëve në Amerikë angazhohen në punë, ndërkaq në mbarë botën kjo përqindje është skajshmërisht e ulët -13%. Më keq akoma, gjatë 12 viteve të kaluara, këto shifra nuk kanë lëvizur gati fare, që do të thotë se shumica dërmuese e punëtorëve në mbarë botën nuk zhvillohen dhe nuk kontribuojnë në punë.

Gallup, gjatë dy dekadave të kaluara, ka studiuar performancën e punëtorëve në qindra organizata dhe ka matur angazhimin e 27 milionë punëtorëve dhe më shumë se 2.5 njësive punuese. Pavarësisht industrisë, madhësisë apo lokacionit, është vënë re se ekzekutivët e kanë të vështirë të zgjidhin misterin se pse performanca e një grupi ndryshon aq shumë nga performanca e një grupi tjetër. Rezultatet e performancës luhaten gjerësisht dhe pa nevojë brenda shumicës së kompanive, dhe, në masë të madhe si rezultat i mungesës së konsistencës në mënyrën e menaxhimit. Ky problem i frustron udhëheqësit për shkak se paparashikueshmëria shkakton mungesë të madhe efikasiteti gjatë ekzekutimit të punës.

Menaxherët e mirë përmirësojnë performancën e kompanive

Ekzekutivët mund t’i japin fund këtij problemi duke matur gjërat që kanë më së shumti rëndësi. Gallup-i ka zbuluar se ekziston një relacion ndërmjet përkushtimit/angazhimit të punëtorëve në nivelin e njësive biznesore dhe indikatorëve vitalë të performancës, përfshirë indikatorët e satisfaksionit të konsumatorëve, profitabilitetit më të lartë, produktivitetit dhe cilësisë, qarkullimit më të vogël, tkurrjes dhe incidenteve më të vogla të sigurisë. Kur një kompani, në mënyrë konsistente, e rrit nivelin e angazhimit të punëtorëve në të gjitha njësitë biznesore, gjithçka funksionon më mirë.

Për ta bërë të mundshme këtë, kompanitë në mënyrë sistematike duhet të kërkojnë që secili ekip të ketë një menaxher të shkëlqyer. Në fund të fundit, rrënjët e variabilitetit të performancës gjendet tek vetë natyra njerëzore. Ekipet përbëhen nga individë me nevoja të ndryshme sa i përket moralit, motivimit dhe qartësisë – të cilat, të gjitha çojnë në shkallë të ndryshme të performancës. Asgjë tjetër nuk mund t’i maksimizojë ato, përveq një menaxheri të shkëlqyer.

Por, kompanitë fillimisht duhet t’i gjejnë ata menaxherë të mirë.

Nëse menaxherët e mirë janë të rrallë, kjo ndodh për shkak se talenti i cili kërkohet për të qenë menaxher i mirë është gjithashtu tejet i rrallë. Gallup-i ka konstatuar se menaxherët e mirë kanë këto talente:

  • Aftësinë për të motivuar secilin punëtor për të ndërmarrë veprime dhe për t’i angazhuar ata me një mision dhe vizion imponues.
  • Ata kanë këmbënguljen për të arritur qëllimin dhe aftësinë për të mposhtur kundërshtimin dhe rezistencën.
  • Ata krijojnë një kulturë të qartë të përgjegjësisë.
  • Ata ndërtojnë marrëdhënie të atilla që krijojnë besim, dialog të hapur dhe transparencë të plotë.
  • Ata marrin vendime që bazohen në produktivitetin e jo në politikë.

1 në 10 persona kanë talent të lindur për të qenë menaxherë

Hulumtimi i Gallup-it zbulon se rreth 1 nga 10 persona i posedon të gjitha këto talente. Përderisa shume njerëz i posedojnë disa prej tyre, shumë pak e kanë atë kombinim unik të talentit i cili do t’i ndihmojë ekipit të arrijë përsosmërinë në atë mënyrë që, në masë të konsiderushme të përmirësojë performancën e kompanisë. Ky 10% i njerëzve, kur caktohet në pozita menaxheriale, në mënyrë të natyrshme i angazhojnë anëtarët e ekipit dhe konsumatorët, ruajnë punëtorët e mirë dhe mbështesin kulturën e produktivitetit të lartë. Së bashkë, ata kontribuojnë me rreth 48% në profitin më të lartë të kompanisë së tyre se menaxherët me aftësi mesatare.

Është me rëndësi të ceket se 2 të tjerë nga 10 persona, shfaqin disa karakteristika të talentit bazë menaxherial dhe mund të funksionojnë në nivele të larta nëse kompania ku punojnë investon në zhvillimin e tyre.

Gjatë studimit të talentit menaxherial në rolet mbikëqyrëse, krahasuar me popullatën e përgjithshme, është konstatuar se organizatat kanë mësuar mënyra për të përmirësuar gjasat e tyre për të gjetur menaxherë të talentuar. Përafërsisht 1 në 5 (18%) e atyre që aktualisht janë në role menaxheriale, demonstrojnë një nivel të lartë talenti për të menaxhuar të tjerët, përderisa 2 të tjera nga 10 shfaqin talentin bazë për këtë. E megjithatë, kjo tregon se kompanitë nuk e arrijnë targetin e tyre për të gjetur talentë me aftësi të larta menaxheriale në 82% të rasteve, gjë që është një problem alarmues për çështjen e angazhimit të punëtorëve dhe zhvillimin e kulturës për performancë të lartë në mbarë botën.

Sigurisht që, secili menaxher mund të mësojë të angazhojë një ekip deri diku. Por, pa talentin e lindur për të individualizuar dhe për t’u fokusuar në nevojat dhe fuqitë e secilit person, për t’i bashkuar njerëzit rreth një qëllimi dhe për të ekzekutuar proceset në mënyrë mënyrë efikase, eksperienca e përditshme do t’i “djegë” si menaxherin ashtu edhe ekipin e tij ose të saj. Siç u cek më lart, kjo mungesë efikasiteti në identifikimin e talentëve, i kushton kompanive qindra miliarda dollarë çdo vit.

Të qenit ekspert në një fushë nuk garanton të qenit menaxher i mirë

Proceset konvencionale të selektimit të punëtorëve janë kontribues të mëdhenj në mungesën e efikasitetit në praktikat menaxheriale; shumë pak shkencë ose hulumtime aplikohen në gjetjen e personit të duhur për pozitën menaxheriale. Kur Gallup-i i kishte pyetur menaxherët në SHBA se pse besojnë se janë punësuar për pozitën aktuale, ata pa dallim kanë cituar sukseset në pozitat e mëhershme jo-menaxheriale ose periudhën e gjatë të tyre në kompani.

Këto arsye nuk merren parasysh sa i përket asaj se a e ka një kandidat talentin e duhur për të qenë i suksesshëm në pozita menaxheriale. Të qenit programer i suksesshëm, agjent i shitjes, ose inxhinier, nuk garanton se do të jeni në gjendje të menaxhoni të tjerët në mënyrë të suksesshme.

Shumica e kompanive i promovojnë punëtorët në pozita menaxheriale pasi që kanë përshtypjen se ata i meritojnë ato, e jo për shkak se kanë talent. Kjo praktikë nuk funksionon. Përvoja dhe aftësitë janë të rëndësishme, por, talentet e njerëzve – modelet që natyrshëm përsëriten në mënyrën e tyre të të menduarit, ndiejnë dhe sillen – parashikojnë se në çfarë pikash ata do të performojnë më së miri. Talenti është i lindur dhe është kushti bazë për të pasur performancë të shkëlqyeshme. Njohuritë, përvoja dhe aftësitë i zhvillojnë talentet tona, por, nëse nuk e posedojmë talentin e lindur për të kryer këtë punë, asnjë trajnim apo përvojë nuk do të ketë efekt.

Shumë pak persona janë në gjendje të vënë në funksion të pesë kriteret e menaxhimit të mirë. Shumica e menaxherëve përfundojnë me anëtarë të ekipit të cilët, në rastin më të mirë, janë indiferentë ndaj punës së tyre – ose, në rastin më të keq, bllokojnë ose e shpërndajnë negativitetin e tyre tek kolegët dhe klientët. Megjithatë, kur kompanitë e rrisin numrin e menaxherëve të talentuar dhe e dyfishojnë shkallën e punëtorëve që angazhohen në punë, ata arrijnë mesatarisht 147% fitime më të larta për aksion se konkurentët e tyre.

Është me rëndësi të ceket, posqërisht në klimën aktuale ekonomike, se gjetja e menaxherëve të mirë nuk varet as nga kushtet e tregut e as nga fuqia aktuale punëtore. Kompanitë e mëdha kanë përafërsisht nga 1 menaxher për çdo 10 punëtorë, dhe Gallupi-i ka konstatuar se 1 në 10 persona posedon talentin e lindur për të menaxhuar. Po të bëhen llogaritë, gjasat janë që secili ekip ka talentin për të udhëhequr. Por, në bazë të të gjeturave të Gallup-it, gjasat janë shumë të mëdha që personi me talent nuk është menaxheri i ekipit. Ka shumë gjasa që ai të jetë një punëtor me potencial të lartë për të menaxhuar që pret që talenti i tij të zbulohet.

Lajmi i mirë është se në secilën kompani ekziston një talent i mjaftueshëm menaxherial i cili qëndron i fshehur dhe ende nuk është zbuluar. Udhëheqësit duhet të maksimizojnë këtë potencial duke zgjedhur personin e duhur për rolin e ardhshëm menaxherial dhe të shfrytëzojnë analitikën parashikuese për t’u ndihmuar në identifikimin e talentëve.

Për një kohë shumë të gjatë, kompanitë kanë humbur kohë, energji dhe burime duke punësuar menaxherët e gabueshëm e duke provuar më pas t’i trajnojnë ata të bëhen dikush që s’janë. Asgjë nuk e ndreq zgjedhjen e gabuar.